LEGJISLACIONI GREK PER GRABITJEN E TROJEVE ETNIKE TE SHQIPTAREVE TE ÇAMËRISE (1913-2007)
Ahmet MEHMETI
Drejtor Ekzekutiv
Instituti i Studimeve për Çamërinë
Historia e të drejtave ligjore të minoritetit etnik shqiptar në Greqi, të çamëve, është një
shkelje flagrante e të gjitha normave të së drejtës të vetë shtetit grek si dhe tëdrejtës
ndërkombëtare. Kjo gjendje filloi me aneksimin e Çamërisë në shtetin grek në nëntor të 1913 në
Konferencën e Ambasadorëve në Londër, pas Protokollit të Firences dhe vazhdon deri sot.
Në periudhën 1 – 14 nëntor 1913 u hartua dhe nënshkrua Traktati i Paqes i Athinës midis
Turqisë dhe Greqisë ku përcaktohet qartë se banorët e teritoreve të aneksuara nga kjo e fundit do
të ruajnë administrimin e lirë të pasurive të tyre dhe të drejtat për t`i disponuar ato pa pengesa.
Konkretisht në nenin 6 të këtij traktati shkruhet: “… Në vendet e zotëruara nga Greqia, të
drejtat e pasurisë mbi pronat e paluajtshme bujqësore, të zotëruara nga persona privatë me
dokumente nga shteti osman, para zotërimit të tyre, do të njihen nga shteti grek. Janë të përfituar
përsa i përket të drejtave të pronësisë mbi tokën. Në emër të personave ligjorë të regjistruar ose
të zotërimeve në sajë të ligjeve osmane të pasardhësve të paqes.
Mund të privohet nga prona e vet, pjesërisht ose terësisht, e cila mbahet për hir të sigurimit
të interesit pas një zhdëmtimit të saj”.
Plot 4 vjet më vonë, në të njëjtën datë, më 14 nëntor 1917, miratohet ligji nr. 924 dhe me
dekret mbretëror në mars të 1918-s në zbatim të tij, ndalohet rreptësisht shitja dhe tjetërsimi i
pasurive të paluajtshme që gjendeshin në teritorin e aneksuar nga Greqia pas luftrave ballkanike.
Kjo masë thellësisht e padrejtë që ishte në kundërshtim me nenin 6 të traktatit të paqes e
detyroi popullsinë muslimane shqiptare të krahinës së Çamërisë të shikojë veten në prespektivën
e trishtuar të të qenit të detyruar të mërgojë duke lënë pasuritë e tyre të paluajtëshme dhe fushat e
tyre që përbënin, për shumicën derrmuese, pasurinë e vetme. Zgjedhja e Turqisë në atë kohë
duke mos ardhur në Shqipëri, bëhej pasi kësaj nuk i ishte njohur zyrtarisht të qenit shtet i
pavarur. Në atë kohë qëndrimi i tyre ishte mjet i vetëm për të ruajtur të drejtën e kërkimit, më
vonë, të kombësisë shqiptare.
Në këto kushte kryetari i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris Luigj
Bumçi (atëhere peshkop i Lezhës) i drejtohet kryetarit të kësaj konference Zhorzh Klemanso, më
25 korrik 1919, të ndërhyjë tek shteti grek për shfuqizimin e dekretit mbretëror dhe për pasojë
pengimin e dëbimit të shqiptarëve muslimanë, ku thekson se Traktati Turko – Grek “përputhet
me parimet më të shenjta të drejtësisë” dhe “asnjë pengesë të mos vihet nga qeveria greke për
tjetërsimin e lirë të pasurive të tyre të luajtëshme e të paluajtëshme”.
Një vit më vonë u nënshkrua Traktati i Sevrës (10 gusht 1920) midis Aleatëve dhe
Turqisë, si pjesë e negociatave të Konferencës së Paqes të Parisit.
Përsa u takon shqiptarëve të Çamërisë në artikullin 2 të këtij traktati midis të tjerave
theksohet “Greqia pranon të sigurojë mbrojtje të plotë për jetën dhe liritë e të gjithë banorëve të
Greqisë pa dallim origjine, kombësie, gjuhe, race apo përkatësie fetare”.
Për më tepër në artikullin 8 të po këtij traktati konfirmohet qartë: “Qytetarët grekë që u
përkasin minoriteteve racore, fetare apo gjuhësore, do të gëzojnë të njëjtin trajtim dhe siguri, me
ligj dhe zbatim si dhe qytetarët e tjerë grekë. Në veçanti, ata do të kenë të drejtën e barabartë për
të ngritur, drejtuar dhe kontrolluar, me shpenzimet e tyre, institucione sociale, fetare apo
bamirësie, shkolla dhe struktura të tjera arsimore, me të drejtën për të përdorur gjuhën e tyre dhe
të ushtrojnë besimin e tyre lirisht.
Në artikullin 1 të Traktati të Sevrës theksohet “Greqia pranon se kushtet e përshkruara në
artikujt 2 dhe 8 do të njihen si ligje themelore dhe asnjë ligj, përmirësim apo veprim ligjor nuk
do të konfliktojë apo do të ndërhyjë me këto kushte, po ashtu asnjë ligj, përmirësim apo veprim
ligjor nuk do të mbizotërojë mbi to”
Më në fund Greqia me një dokument ndërkombëtar njeh de jure praninë e minoriteteve
kombëtare dhe të drejtat e tyre, por Traktati i Sevrës që nga koha e nënshkrimit e deri sot nuk u
zbatua asnjëherë nga shteti.
Në Çamëri vazhdoi të mohohej identiteti kombëtar i shqiptarëve nga qeveria greke duke
shënuar në letërnjoftimin e tyre vetëm besimin fetar, për ata që i përkisnin fesë muslimane, kurse
të krishterët shqiptarë, si në kohën e perandorisë otomane, quhen edhe sot grekë, duke u mohuar
kështu të drejtat që gëzojnë minoritetet kombëtare në Bashkimin Europian e më gjerë.
Një cfilitje torturuese ishte periudha 1923 – 1926 për shqiptarët e Çamërisë, në kohën e
Traktatit të Lozanës (24 korrik 1923) midis Turqisë e Greqisë për shkëmbimin e popullsive.
Megjithse bëhej fjalë për grekë e turq, shteti grek me një mori pafund spekullimesh
shfrytzoi rastin të vinte në jetë Megali idenë për çrrënjosjen e shqiptarëve si turq, nga trojet
mijëvjeçare. U desh ndërhyrja e fuqishme e shtetit shqiptar dhe e vetë çamëve që vunë në lëvizje
të gjitha organizmat ndërkombëtare për shmangien e pjesëshme të spastrimit të dytë etnik (pas
atij të periudhës së Konferencës së Londrës), megjithatë u shpërngulën 35 000 shqiptarë
autoktonë nga zonat e Konicës, Kosturit e Follorinës si dhe mbi 15 000 të tjerë nga Çamëria.
Në periudhën që pasoi diskriminimi ekonomik dhe heqja e mjeteve të jetesës ishte një tjetër
mënyre efikase për t`i detyruar shqiptarët të largoheshin nga vendi i tyre.
Një varg ligjesh dhe aktesh nënligjore të komplikuara qëllimisht drejtoheshin kundër
shqiptarëve muslimanë. Kështu ligji numër 3250 sanksiononte zhvlerësimin e tapive prej 100
vjet e tutje. Ky ligj shkelte Traktatin greko – turk të Athinës. E ashtuquajtura “Reforma Agrare”
u bë mjet për t`i hequr muslimanëve çamë çdo bazë ekonomike.
Ky çpronësim nuk u bë në favor të refugjatëve të ardhur nga Turqia por të çamëve
ortodoksë për t`i futur në armiqësi dy komunitetet me kombësi të njëjtë.
Shpronësimi do të bëhej kundrejt një shpërblimi që s`u dha kurrë. Ndërkohë vazhdonte mos
lejimi për shitjen ose dhënien me qera të pronave të tyre.
Ligji i reformës agrare i hapi rrugë arbitraritetit dhe grabitjes të popullsisë muslimane
shqiptare. Kështu një rrënjë ulliri merrej me 25 dhrahmi kur vlera e saj në atë kohë ishte 3000
dhrahmi dhe shpërblimi do të bëhej për 30 vjet. Spekullime u bënë në matjet e sipërfaqeve të
tokave, p.sh. fshati Goricë që kishte në fakt 7000 dynym u përllogarit 1400 dynym, Januri nga
5000 në 1500, Turkopallku nga 5500 në 1500, Kanellaqi nga 8000 në 1800 etj., kështu pronarët
muslimanë u shndrruan në argatë, pa tokë, pa asnjë shpërblim.
Ndaj kësaj gjendjeje të padurueshme u ngritën në protesta intelektualët e shquar çamë Ali
Dino, Haki Sejko etj. duke ju drejtuar kryeministrit Pangalos, i cili për të zbutur gjendjen e
acaruar në kulm pranoi: “Në Epir kemi disa mijëra çamë, të njohur prej nesh dhe që formojnë në
shtetin tonë minoritetin shqiptar. Nëqoftëse në të kaluarën kanë ngjarë disa veprime të
dëmëshme për ta, nga ana e organeve vartëse, kjo nuk duhet kurrsesi të bëhet një vijë veprimi
kundrejt tyre”.
Por ky qëndrim i një autoriteti të lartë shtetëror nuk zgjati shumë pasi me ardhjen në fuqi të
të diktaturës së Metaksait e deri në sulmin e Italisë gjendja sa shkonte rëndohej më shumë në
kushtet e mohimit absolut të të drejtave të njeriut si mohimi i shkollës dhe i gjuhës amtare në
publik, mohimi i votës etj. etj. të cilat u sanksionuan me ligje e pa ligje si në një regjim tipik
fashist.
Periudha e Luftës së Dytë Botërore dhe spastrimi etnikofetar i tretë dhe i fundit i 35000
shqiptarëve muslimanë nga Çamëria ishte akti final i zbatimit të Megali idesë nga forcat e
armatosura të shtetit grek.
Krimet e luftës dhe genocidi i pashoq i ushtruar ndaj njerëzve të çarmatosur dhe të pa
fajshëm u kushtoi jetën rreth 2900 vetëve të vrarë e të masakruar dhe rreth 2400 të tjerëve që
vdiqën rrugëve nga sëmundjet, uria dhe të ftohtit gjatë spastrimit etnik.
Megjithse mbi 1000 çamë morën pjesë në dy batalione në forcat antifashiste,njeri në
Shqipëri dhe tjetri në Greqi, dhe mbi 70 vetë ranë dëshmorë, propaganda shtetërore greke mohon
kontributin e shquar të tyre duke ngulur këmbë në akuza false për bashkëpunim me armikun
vetëm e vetëm për të fshehur krimet e luftës dhe për të justifikuar shpërnguljet masive me dhunë.
Këto akuza dhe gjyqet false, që vetë gjykata greke i ka përgënjeshtruar, u kanë hapur rrugë
vendosjes së ligjeve drastike në kundërshtim me kushtetutën greke dhe të drejtën ndërkombëtare.
Me administrimin e pasurisë së grabitur të çamëve u morën autoritetet lokale duke
spekulluar me ligjin 1539/ 1938, Art.34. Sipas As. Prof. Kyriakos D. Kentrotis në vitin 1947
çamëve ju hoq shtetësia greke në mënyrë kolektive me dy protokolle: Nr. 49 343 / E / 2 /
29.10.1947 i autoriteteve për çështjet juridike në Ministrinë e Jashtëme dhe Nr. 3976 / 8.11.1947
të Ministrisë së Brendëshme. Të dy protokollet janë bazuar në akuza false për “bashkpunim dhe
veprime kundër interesave të popullit grek” Grabitja e pasurive të shqiptarëve u bë për të
realizuar kolonizimin e ëndërruar e planifikuar të Çamërisë qysh në vitin 1844 me famëkeqen
Megali ide duke jua ndarë tokat dhe pasuritë e tjera të shqiptarëve kolonëve grekë dhe duke
proceduar me Bankën Agrare.
Sikur të mos mjaftonin të gjitha këto akte ligjore e nënligjore në vitet 1966 dhe 1998 shteti
grek miraton dhe dy ligje të tjera me numra përkatësisht 4506 dhe 2664. Ironia e këtyre dy
ligjeve qëndron në atë se mbështeten në Ligjin famëkeq të Luftës me Shqipërinë nr. 2636 / 1940
kur çamët ndodheshin në vendet e tyre në Greqi dhe gëzonin të gjitha të drejtat si qytetarë grekë.
Por rasti më flagrant i kohëve të fundit është ligji nr. 2664 “Mbi Kadastrën kombëtare dhe
rregulla të tjera” dekretuar më 27 nëntor 1998 nga presidenti Kostandin Stefanopullos dhe
firmosur nga 8 ministra. Ky ligj u miratua pas nënshkrimit të Traktatit të Miqësisë Shqipëri –
Greqi të vitit 1996 ku në pikën 15 theksohet lehtësimi i marrjes së pronave të shtetasve të të dy
vendeve në vendet respektive.Ky ligj shkel të gjitha kartat, konventat e traktatet nderkombetare
për pronën dhe të drejtat themelore të njeriut duke përligjur arbitraritetin e një shteti tipik racist.
Një gjë është fare e qartë në këtë maskaradë ligjore, Greqia përsa u takon minoriteteve
asnjëherë nuk ka zbatur detyrimet që rrjedhin nga kartat, konventat, traktatet ndërkombëtare që
ka firmosur e ratifikuar vetë në mardhëniet dy ose shumëpalëshe.Ajo ështe i vetmi vend i BE-së
që nuk ka përafruar legjislacionin e vetë kombetar me atë europian,deri tani nuk ka ratifikuar
Konventën Kuadër për Mbrojtjen e Minoriteteve Kombëtare dhe as e ka firmosur Kartën për
Gjuhët Rajonale ose të Minoriteteve.
Karakterizimin më të saktë të sistemit ligjor grek e ka bërë gazeta “The Daily Telegraph”
në dhjetor të vitit 2001: “Greqia është një partnere jona brenda Komunitetit Europian, por
sistemi i saj ligjor arkaik, i padrejtë, është si i Botës së Tretë. Është gjithashtu mizor”.
Literatura:
1. Bumçi L. Protestë me anën e të cilës kërkohet ndërhyrja e Zhorzh Klemensos
pranë qeverisë greke. Paris, 25 korrik 1919 “Dokumente për Çamërinë”.
Tiranë, 1999 f. 58 – 59.
2. Dino A. Raport mbi kriteret bazë për përcaktimin e kombësisë së banorëve
të Çamërisë. Athinë, 7 qershor 1924. “Dokumente për Çamërinë” Tiranë,
1999 f. 300 – 310.
3. Cordell K, Wolf S. The Ethnopolitical Encyclopedia of Europe, New York, 2004.
4. Kentrotis K.D. Problemi i muslimanëve çamë. Die griechich – albanichen Beziehungen
f. 288- 295 (përkthim shqip) në Punimet e Seminarit të Parë Kulturor
“ Për Çamërinë” 17 qershor 2000, New York
5. Mehmeti A. Si i shkel Greqia konventat ndërkombëtare për të shmangur çështjen
çame “Ballkan”, 18 Maj 2004 f.7.
6. Mehmeti A. Ligji grek që grabit pronat e shqiptarëve “55”, 2 dhjetor 2005.
7. Minga H., Saqe H. Genocidi grek kundër Çamërisë vazhdon. Tiranë, 2006. f. 17 – 18.
8. Palmowski J. A dictionary of twentieth century world history. Oxford, 1998. f. 550,
354.
www.cameriainstitute.org