Prof. dr. Bashkim Kuçuku


SHKRIM-KËNDIMI DHE SHKOLLA SHQIPE NË ÇAMËRI


Çamëria gjatë gjithë historisë, deri në Traktatin e Londrës (1913) ka qenë pjesë
përbërëse natyrore e hapësirës shqiptare, prandaj të gjitha proceset historike,
shoqërore dhe kulturore kanë patur po atë ecuri dhe po ato karakteristika dalluese, që
kanë patur edhe në trevat e tjera shqiptare. Kështu, edhe zanafilla dhe përhapja e
shkrim-këndimit dhe e shkollës shqipe në Çamëri kanë qenë pjesë përbërëse e atij
procesi të gjerë që përftoi shkollën shqipe në periudhën e Rilindjes Kombëtare dhe
të përpjekjeve për pavarësi. Një kahje tjetër, përgjithësisht, rrënuese, morën proceset
historike, shoqërore dhe kulturore në Çamëri, pasi kjo krahinë shqiptare u përfshi në
shtetin grek pa asnjë të drejtë të identitetit politik, kulturor dhe arësimor. Në Çamëri,
për shkak të rrethanave gjithmonë tejet të vështira, mund të flitet për shkrimkëndimin
shqip dhe jo për shkollën shqipe. Sheti osmano-turk, më parë, dhe shteti
grek, më pas, nuk lejuan asnjëherë që shkolla shqipe në Çamëri të ishte një
institucion i vërtetë zyrtar, i mbajtur dhe i mbrojtur prej tyre. Përkundrazi, edhe kur
formalisht e lejonte ligji, praktikisht mësimi dhe shkolla shqipe pengoheshin dhe
ndaloheshin me mënyra nga më të ndryshmet. Edhe kur hapeshin me stërmundime
ekonomike dhe sakrifica jetësh, herë ndaleshin në hapat e parë, dhe, herë të tjera,
mbylleshin fare, pa arritur në ndonjë sistem arsimor, pak a shumë të rregullt dhe të
plotë. Për këto arsye, arësimimi kombëtar në Çamëri, kryesisht, ka qenë për të mësuar
shkrim-këndimin shqip, dhe, pak e rrallë, për të marrë dituritë në gjuhën amtare.
Megjithatë, përpjekjet si për shkrim-këndimin, ashtu edhe për shkollën shqipe kanë
qenë të vazhdueshme, të mundimshme gjer në sakrificë dhe vetmohim.
Përhapja e shkrim-këndimit dhe e shkollës shqipe në Çamëri, gjatë Rilindjes
Kombëtare, hasi në të njëjtat pengesa e vështirësi, dhe, po ashtu, pati të njëjtën ecuri e
mbarëvajtje, të paktën, si në krejt Shqipërinë e Jugut.
Në Çamëri kishte dy lloje shkollash: në turqisht-arabisht, që ishin për shqiptarët e
besimit mysliman, dhe, në greqisht, që ishin për shqiptarët ortodoksë. Në krahinën e
Filatiti, p. sh., më 1888, kishte një medrese (shkollë fetare) në arabisht, në qytetin e
Filatit, dhe 57 shkolla nëpër fshatra, prej të cilave 32 ishin shkolla turke me 600
nxënës myslimanë, dhe 25 shkolla greke me fëmijët e ortodoksëve, kryesisht,
shqiptarë, dhe, kuptohet, nuk kishte asnjë shkollë shqipe (H. Isufi Musa Demi dhe
qëndresa çame 1800-1947, faqe 21). Në fshatrat ortodokse të Filatit e gjetkë shkollat
greke kishin filluar të hapeshin që më 1850, të cilat u shtuan dhe u hapën edhe në
qytetet : Filat, Paramithi, Pargë, Margëllëç, etj. Në Janinë, sikurse dihet, ishte
gjimnazi i njohur Zosimea, në të cilin mësimet merreshin në greqisht, turqisht,
arabisht, sikurse mësoheshin edhe gjuhë të tjera perëndimore dhe lindore. Këto dy
lloje shkollash jo vetëm që ruanin me mure të pakapërcyeshëm ndarjen arsimore dhe
fetare midis shqiptarëve me besime të ndryshme, por edhe e nxisnin dhe e thellonin
atë. Prandaj, për të formuar vetëdijen kombëtare dhe për të kapërcyer ndarjet fetare,
në periudhën e fundit të Rilindjes dhe të përpjekjeve për pavarësi, veçanërisht në
periudhën e Kushtetutës së Turqve të Rinj (1908-1910), edhe në Çamëri pati një
lëvizje të dukshme, plot pasion dhe përkushtim, për përhapjen e shkrim-këndimit dhe
të shkollave shqipe. Këto shkolla mbaheshin me të ardhurat e shoqërive dhe të
klubeve atdhetare, që ishin hapur në të gjitha qytetet: Janinë, Prevezë, Filat,
Margëllëç, Konispol, si dhe në jo pak fshatra. Në statutin e këtyre shoqatave dhe
klubeve, hapja dhe ndihma financiare e kurseve të shkrim-këndimit dhe e shkollave të
shqipes parashihej si detyrë parësore.
Më 25 gusht 1908, në qytetin e Filatit, u hap shkolla e parë shqipe në Çamëri. Në
telegramin, e botuar te gazeta Liria, shkruhet: Me gas të madh u apim sihariqin se sot
çelëm me shumë lavdi një shkollë shqipe dhe bëmë disa fjalë mëmëdhetarisht.
Mësuesi i shkollës së parë shqipe të Filatit ishte Musa Demi, figurë e shquar e
historisë kombëtare. Një ish nxënës i kësaj shkolle e ka përshkruar, kështu, ditën e
parë të mësimit shqip: në oborrin e shtëpisë ishin mbledhur shumë banorë të qytetit
dhe nga fshatrat përreth, përfaqësues të administratës turke. Hymë në një nga
dhomat e shtëpisë që ishte caktuar për klasë mësimi. Nuk kishte as banga dhe as
dërrasë të zezë. Ne u ulëm nëpër disa çilte që ishin shtruar rreth e rrotull dhomës. Në
faqen e murit ishte vendosur një flamur i vogël me shqiponjën me dy krerë në mes.
Është flamuri ynë, na tha mësuesi Musa Demi, dhe e lëmonte me kujdes. Ishim
gjithësej 25-30 nxënës ditën e parë të shkollës. Musa Demi na shpërndau Abetaret
dhe na tha se me atë do të mësonim të shkruanim dhe të lexonim shqip ( H. Isufi
Musa Demi dhe qëndresa çame 1800- 1947, faqe 32-33). Shkolla shqipe u hapën
edhe në qytetet e tjera: Paramithi, Prevezë, Margëllëç, Konispol si dhe në fshatrat:
Mazrek, Koskë, Janjar, Lopës, etj.
Përhapja e shkrim-këndimt dhe e shkollës shqipe, në dhjetëvjetëshin e parë të
shekullit XX-të, është e lidhur fort me mbrojtjen e abece-së latine, që ishte vendosur
në Kongresin e Manastirit (1908). Pushtuesi turk, për të lenë gjurmët e veta të
përjetshme në arësimin shqip, me agjentët e vet shqiptarë, me klerikët myslimanë si
dhe me policinë, përgatiti dhe shpërndau, edhe në Çamëri, Abetare me gërma araboturke.
Për këtë pati kundërshtime të mëdha dhe të ashpra, që u shndërruan në
manifestime dhe mitingje. Te gazeta Shqipëtari, shkruhet: Sapo u muar vesh në
Shqipëri marrëzia e ca deputetëve për shkrimin e shqipes me gërma turqisht,
mbuluan protestat nga Elbasani, Tirana, Leskoviku, Preveza e gjetkë
( Shqipëtari, nr. 4, 21 janar-3 shkurt 1910). Në një letër nga Filati, botuar te gazeta
Dielli, shkruhet: me kërkesën e oficerëve të ushtrisë ishin dërguar në Filat disa
abetare shqipe me gërma arabo-osmane-persiane. I morën me gas të madh, deshën
t’i shpërndajnë si zyrtarisht falas nëpër fshatarë. Por për fat të mirë s’u a vari torbën
ndonjë. Neve shqipëtarëve na gëzoi shumë kjo ngjarje, se xhonët e këtushëm (xhon
turqit apo, siç do të thotë në shqip, turqit e rinj) shpresojnë se do ta çajnë
vëllazërimin e Çamërisë me ca abetare të këtilla…Por u gënjyen derëzestë…Sa
shtrëngohen xhonët për propagandë në Shqipëri, aq më shumë na ngjallin kombësinë
tënë (Dielli, nr. 42, 14.1.1910).
Më 27 shkurt 1910, në Korçë, është zhvilluar një miting i madh me mbi 12 mijë vetë
për të mbrojtur shkrimin shqip me abece latine. Në këtë miting, Shoqëria Vëllazëria e
Filatit kishte dërguar një telegram në të cilin shkruhej: Ne do të derdhim edhe pikën e
fundit të gjakut për alfabetin latin. Po ashtu, banorët e Paramithisë shkruanin se
qëndronin vendosmërisht anëtarë të shkrimit kombëtar dhe këtë qëndrim do ta
mbanin deri në fund.
Natyrisht, shkollat shqipe u bënë qendra të vetëdijësimit dhe të identitetit shqiptar.
Në një letër, të botuar te Zgjimi i Shqipërisë, që dilte në Janinë, shkruhet: Kur
kryeqeveritari osman në Prevezë… ndërmori një udhëtim nëpër krahinë, i u vunë pas
edhe disa nga paria atdhetare e Prevezës, ndër ta edhe atdhetari i dëgjuar Sabri
Preveza. Në Margëllëç, shoqëruesit e shpunë kryeqeveritarin në shkollën shqip të
qytetit, ku mësuesit me nxënësit e pritën me këngë shqip. Sabri Preveza u foli djemve
dhe i uroi me një fjalë shqip. Më në fund, duke përpjekur duartë thërritën të gjithë me
zëra të përqielltë: Rrofshin shqiptarët! Rrofshin shkronjat kombëtare! (Zgjimi i
Shqipërisë, nr.81, 31.5.1910)
Mësuesit kombëtaristë, në një pjesë të shkollave turke, futën mësimin e shqipes.
Ndërsa, në disa shkolla të tjera turke, një pjesë të nxënësve i tërhoqën edhe në
shkollën shqipe. Kështu, në gjimnazin turk të Prevezës zhvillohej mësimi i shqipes
me 25 nxënës. Edhe në Filat, në shkollën turke ruzhdije (gjysëm të mesme) u fut
mësimi i shqipes dhe, pak nga pak u shndërrua në shkollë shqipe, ku turqishtja ishte
lëndë e dytë, si gjuhë e huaj. Pranë shkollave shqipe kishte edhe kurse të mbrëmjes
për të rriturit.
Përhapësit e shkrim-këndimit shqip, mësuesit, nisjatorët e çeljes së shkollave,
financuesit e tyre, shpesh herë kishin qenë më parë edhe luftëtarë ose organizatorë të
shoqërive dhe klubeve atdhetare. Edhe klasat e mësimit ishin në shtëpitë dhe
tregëtoret e atdhetarëve më të zellshëm. Disa nga figurat më të shquara të Rilindjes
dhe të pavarësisë, sikurse ishin Rasih Dino, Rexhep Demi, Veli Gërra, Tahir Mete,
Vesel Rusi, etj., që ishin edhe përfaqësues të Çamërisë në ngritjen e flamurit në Vlorë,
ishin përhapës të Abetares, mësues dhe financues të shkollave. Rasih Dino, kryetar i
dërgatës shqiptare të qeverisë së Vlorës, që shkoi në Londër për të mbrojtur tërësinë
tokësore të shtetit kombëtar shqiptar, mbante me pagesë katër shkolla dhe kishte
filluar ndërtimin e një shkolle në Filat. Kurse, Rexhep Demi, atdhetar dhe luftëtar i
njohur i Pavarësisë, për t’u mësuar të tjerëve shkrim-këndimin shqip, në moshën 62
vjeçare ndoqi kursin për mësues në Labovë të madhe, në shkollën e Thoma
Papapanos, si dhe një kurs tjetër në Gjirokastër.
Në këtë periudhë fillestare të shkollës shqipe, Çamëria i jepet pa drejtësisht shtetit
grek (1913), i cili, me ndonjë përjashtim të rrallë, nuk u njohu dhe nuk u lejoi çamëve
asnjë të drejtë kombëtare, politike, kulturore dhe arsimore.
Kurset apo shkollat e sapoformuara të shqipes, në vitet e fundit të pushtimit osman,
nën trysninë e madhe dhe të organizuar prej mekanizmave të shtetit grek, u
shpërbënë. Shkrim-këndimi shqip filloi përsëri të mësohej vetëm në familje dhe
fshehtas. Qëllimi kryesor i shtetit grek ishte zhdukja e çdo shenje të identitetit
kombëtar dhe shpërbërja e plotë e Çamërisë si trevë shqiptare. Shpronësimi dhe
dëbimi i shqiptarëve myslimanë në Turqi dhe në Shqipëri, që përdori me të gjitha
mjetet shteti grek, tronditi nga rrënjët jetesën e tyre normale. Në rrethanat e një
rreziku qeniesor (ekzistencial) dhe të një shpërbërjeje të vazhdueshme, mësimi i
shqipes, thuajse, ishte i pamundur. Megjithatë, në përpjekjet për të ruajtur qenien
njerëzore dhe pronat e tyre, janë edhe përpjekjet për të patur mësimin shqip. Banorët
e qyteteve dhe të shumë fshatrave, herë pas here, në kërkesat e tyre, drejtuar qeverisë
greke dhe Lidhjes së Kombeve, për t’u siguruar jetën dhe pasurinë, kërkonin edhe
mësimin e shqipes. Deri në vitin 1936 nuk kishte asnjë shkollë zyrtare, ku të mësohej
shqip. Madje bëheshin kontrolle dhe sekuestroheshin librat dhe gazetat që kishin
vajtur nga Shqipëria. Shprehja kërcënuese: “ në do të lexosh shqip shko në
Shqipëri”, që përdorte policia gjatë përndjekjeve dhe sekuestrimeve të librave shqip,
në të vërtetë, ishte parashenja psikologjike dhe strategjike e programit që përgatitej
për t’i dëbuar ata nga vendi i tyre me dhunë, më 1944. Ndërsa, në Këshillin e
Kombeve, për të përligjur këtë shkelje të hapur të pakicave, përfaqësuesi i Greqisë,
me ndjenja raciste të thella, e paraqiste popullsinë e Çamërisë joarsimdashëse.
Përfaqësuesi i Greqisë, në Këshillin e Kombeve, më 1927, kur u shtrua problemi i
shkollës shqipe në Çamëri, tha kështu: Përsa i përket ankimit të myslimanëve të
Epirit se ata nuk kanë shkollë, ai mund të shkaktojë vetëm habinë e atyre që i njohin
nga afër këto popullsi. Të paaftë gjithmonë për çfarëdo kulture, duke i u shmangur
sistematikisht çdo përpjekjeje intelektuale, ata e kufizojnë arësimimin e tyre vetëm në
disa elemente të njohurive fetare dhe të turqishtes ose të shqipes, që u japin
tradicionalisht fëmijëve hoxhët në xhami. Ata nuk kanë paraqitur kurrë kërkesa për
hapje shkollash… kaq nuk e duan këto popullsi shkollimin. (Dokumente për
Çamërinë, Dituria, Tiranë, 1999, faqe 547, përgatitur nga Kaliopi Naska).
Vetëm në vitin 1937, pas shumë kërkesave dhe përpjekjeve, si të çamëve ashtu edhe
të qeverisë shqiptare, më në fund, u hapën gjashtë shkolla me dhjetë mësues
shqiptarë, por dhe ato me kusht që të hapeshin njëkohësisht disa shkolla greke në
Himarë. Konsulli i Shqipërisë në Janinë, shkruante në njoftimin zyrtar se fatkeqësisht
në Çamëri nuk kemi shkolla shqipe në kuptimin e vërtetë të fjalës; atje janë emnue 10
mësuesa, të cilët kanë për detyrë me u msue gjuhën shqipe çamëve të vegjël qi
mësojnë nëpër shkollat greke (Dokumente për Çamërinë, faqe 694). Qamil Izeti,
Avdul Sejko, Fejzo Beqiri, Hasan Çeço, Jahja Dauti, Avdul Zeqirjai, Shaban Kipe,
Saqe Demi kanë qenë disa nga këta mësues të përkushtuar të shqipes në ato vite.
Përballë këtyre pengesave të pakapërxyeshme, për të ndihmuar, sadopak, arësimimin
në gjuhën amtare, shteti shqiptar kishte hapur në Sarandë, nga fundi i viteve 20-të të
shekullit XX, konviktin Çamëria, me afro 100 nxënës, që vinin, kryesisht, nga ajo
trevë. Shumica e mësuesve të lartpërmendur, si edhe dhjetra mësues të tjerë familjarë,
që u mësonin vetiakisht të tjerëve shkrim-këndimin shqip, kishin kryer, pikërisht,
shkollën e konviktit Çamëria në Sarandë. E tillë, ndriçuese, por edhe sakrifikuese dhe
e dhembshme ka qenë historia e shkrim-këndimit shqip, në Çamëri, sikurse ka qenë
edhe fati i vet popullatës së saj. Ajo, natyrisht, është pjesë përbërëse e historisë së
arësimit kombëtar, në të cilën është edhe ndihmesa e vyer e të gjithë atyre që e
përhapën me përkushtim, sidomos në atë trevë të martirizuar për qenien shqiptare.


www.cameriainstitute.org