Rreth nesh

Instituti i Studimeve për Çamërinë (ISÇ) është një organ jo-fitimprurës. U themelua në maj të vitit 2004 në Tiranë, me iniciativën e një grupi prej 17 intelektualësh të fushave të ndryshme, si të shkencave politike, juridike, historike, sociologjike, të marrëdhënieve ndërkombëtare etj. ISÇ është regjistruar dhe funksionon në bazë të statutit dhe rregullores së vet, në harmoni me ligjet e shtetit shqiptar dhe të drejtës ndërkombëtare. Zgjidhja e çështjes çame, e mbetur peng nga historia, me mjete dhe rrugë demokratike, veç të tjerash kërkon organizimin e studimeve rigoroze shkencore. Të ndërgjegjësuar për domosdoshmërinë e këtyre studimeve, u themelua Instituti i Studimeve për Çamërinë, qëllimi i të cilit është:

• T’u japë një shtysë të re dhe të fuqishme studimeve në fushën e historisë dhe kulturës së komunitetit çam, si pjesë e rëndësishme e kulturës së popullit shqiptar, duke përcjellë mesazhe të bashkëjetesës dhe mirëkuptimit midis popujve të Ballkanit.

• Të ushtrojë veprimtari studimore të mirëfillta akademike në fushën e historisë, etnografisë, sociologjisë, të drejtës ndërkombëtare, gjeopolitikës, gjeografisë, demografisë etj. për popullsinë çame.

• Të zhvillojë një veprimtari aktive në nxitjen e debatit shkencor publik përpunimin e opinioneve dhe rekomandimeve për problemin e Çamërisë.

• Të kryejë studimet e nevojshme akademike me tematikë në fushat e sipërme.

• Të organizojë aktivitete shkencore si simpoziume, konferenca, seminare shkencore, debate publike dhe tavolina të rrumbullakëta mbi çështje të përgjithshme dhe specifike të komunitetit çam.

• Të përhapë informacion shkencor dhe t’i botojë rezultet e veprimtarisë së saj studimore.

• Të publikojë dhe të studiojë materiale dokumentare që disponojnë arkivat brenda dhe jashtë vendit për probleme të historisë dhe kulturës çame.